Dr. Lul Raka

Raka flet për kërcënimin që mori pasi u deklarua për mundësinë e mbylljes përsëri shkaku i COVID-19

Profesori i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, Lul Raka, ka publikuar dje një mesazh kërcënues që kishte marrë nga një qytetar, pasi që ai u deklaroi për mundësinë e mbylljes përsëri me rastin e rritjes së rasteve të reja me COVID-19.

Raka sot në një postim në “Facebook” ka kërkuar falje për shqetësimin pas këtij mesazhi, e që thotë se e publikoi atë mesazh pas denoncimit në Polici.

“E kuptoj shqetësimin e shumë njerëzve që mendojnë ndryshe nga unë dhe më bëjnë fajtor kujdestar për problemet e tyre të përditshme- nga humbja e vendeve të punës, bizneseve apo shqetësimeve psikologjike. Prandaj, edhe nuk jam përgjigjur në sharje, ofendim apo nënçmim nga ata që kanë pasur mendime tjera. Këtë dukuri e kam kuptuar si pjesë përbërëse të ecurisë së pandemisë dhe pjesë normale e sfidës në të cilën jam futur”, ka shkruar mikrobiologu.

“Kosova është vend i të gjithëve. Sharjet dhe kërcënimet nuk më kanë ndalur asnjëherë në jetë. Përkundrazi, janë motiv shtesë për të punuar edhe më shumë për një Kosovë edhe më të bukur. Si çdo njeri edhe unë do ta mbroj familjen në çdo kohë, nga çdokush dhe me çdo mjet. Winston Churchill: “Asnjëherë nuk do të arrish në cak, nëse çdo herë ndalesh që të pushosh një qen që leh”, përfundoi ai njoftimin.

Kujtojmë se sot në vendin tonë janë regjistruar edhe 29 raste të reja me COVID-19, duke e dërguar numrin në 1,298.