Lul Raka, mikrobiolog - Foto: REL

A mund të mbyllemi prapë nëse rritet numri i rasteve me coronavirus, flet Lul Raka

Profesori i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, Lul Raka është deklaruar lidhur me mundësinë e sërishme për tu mbyllur në karantinë nëse rritet numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Sipas Rakës, përveç numrit të rasteve, faktor vendimtar mund të jetë struktura klinike e këtyre rasteve të reja.

“Nëse ato janë raste të lehta të kontaktit familjar (disa edhe asimptomatike), të cilat nuk kanë nevojë për hospitalizim, atëherë ato janë të menaxhueshme për sistemin shëndetësor dhe nuk ka nevojë për mbyllje të sërishme. Duhet vetëm kujdes i shtuar dhe zbatim i këshillave”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se nëse rritja e numrit të rasteve të reja shkon paralelisht me numër të madh të rasteve që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes intensiv, atëherë mbyllja e sërishme është opsion real.

“Gjithçka varet nga JU! Nëse i respektoni masat parandaluese mund ta mbajmë virusin nën kontrollë! Bashkë ia dalim!”, ka shtuar ai.

Raka ka theksuar se qytetarët duhet t’i respektojnë këshillat dhe rekomandimet, të cilat janë: 1. Mbani distancën fizike gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim! 2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë (autobus, qendra tregëtare, vende të mbipopulluara me njerëz), vendosni maskat ose mburojat e fytyrës! 3. Shmangni qëndrimin në brendi të lokaleve që janë përplot me njerëz. Mundësisht, qëndroni në terasa të këtyre lokaleve! 4. Vazhdoni me higjienën e duarve!

Deri më tani në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë konfirmuar 1,234 të infektuar, janë shëruar 890 pacientë dhe 31 kanë vdekur.