Vitia. Foto: Atdhe Mulla

“Qejfi” Më i Madh se Buxheti

Janë 9 mijë e 760 euro mjete që do të shpenzohen për dekorimin e qytetit të komunës së Vitisë, gjithashtu me këto mjete do të blihen edhe dhurata e fishekzjarrë. Që festat e fundvitit të kenë ambient festiv dhe gjithëpërfshirës, komunës i është dashur që të sigurojë mjete shtesë.

Komuna e Vitisë ka bërë të ditur për publikun se do të dekorojë qytetin për festat e fundvitit. Komuna e Vitisë ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës në Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), ku ky aktivitet i prokurimit do t’i kushtojë komunës 9 mijë e 760 euro.

Komuna ka përdorur procedurën e kuotimit të çmimit me kriter çmimin më të ulët ku ka pranuar vetëm një ofertë.

Komuna për këtë tender planifikoi 8 mijë e 610 euro, përderisa dhënia e kontratës në vlerë tejkalon shumë e planifikuar për këtë tender.

Janë 1 mijë e 150 euro më tepër të cilat komuna duhet t’i sigurojë për zbatimin e kësaj kontrate.

Për të mësuar më shumë për këtë tender Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje në Komunën e Vitisë, e cila sqaron më pas tejkalimin e parashikimit të mjeteve për këtë tender.

“Vlera e parashikuar ka qenë një vlerë e planifikuar në fillim të vitit, ndërsa shuma e paramasës së ofruar nga njësia e kërkesës është 9,922.00, ky ndryshim vjen si nevojë e rritjes së paramasës, me qëllim të zgjerimit të dekorimit edhe në  disa rrugë të qytetit. Ky dallim është evident, por në kemi pranuar konfirmimin nga autorizuesi i buxhetit për pranimin e shumës së tejkaluar nga planifikimi, të cilin e kemi dorëzuar në KRRP, para shpalljes se njoftimit për dhënie”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Komuna e Vitisë në përgjigjen për Gazetën Jeta ne Kosovë tregon se nuk ka bërë hulumtimin e çmimeve të tregut,  sepse nuk e kanë parë të nevojshme.

Komuna thotë se përmes nënshkrimit të deklaratës së nevojave për disponueshmërisë së fondeve ka siguruar mjetet shtesë.

Që qyteti i Vitisë të këtë ambient festiv  të dekoruar, komuna planifikon vendosje të dritave dekoruese dhe një bredhi të stolisur.

Sipas thirrjes për kontratë,  komuna planifikon furnizimin dhe montimin e 20 copë dritave dekoruese “Ylli i Madh” nëpër shtyllat e ndriçimit publik dhe drunjtë nëpër qytet. Furnizimin dhe montimin e 20 copë dritave dekoruese -“në formë rrjete” në  drunjtë ekzistues në qytet, furnizimin dhe montimin e  80 copë  dritave dekoruese “drita të gjata” në shtyllat e ndriçimit publik dhe drunjtë.

Furnizimin me material te nevojshëm për lidhjen e elementeve dekoruese siç janë kabllo të ndryshme, lidhëse plastike, shirita izolues etj.

Furnizimi dhe montimi i  një bredhi metalik me lartësi 6 metra me diametër 3 metra, përfshirë punimin e rrjetës për mbështjelljen e bredhit si dhe ndriçimin e bredhit me të gjitha instalimet (dritat dekoruese ne formë rrjete , ylli i madh, si dhe stolisja me elemente te ndryshme dekoruese ) si dhe furnizimi dhe montimi i 90 dritave dekoruese- “Ylli i mesëm” nëpër shtyllat e ndriçimit publik nëpër qytet. Ndriçimi i plastifikuar  gyp-  ngjyra të ndryshme 1600 metra bëhet në shtylla të ndriçimit publik.

Nuk do të ketë vetëm ndriçim në Viti, komuna do t’u japë si dhuratë  40 orë dore për kujdestarinë (zjarrfikësve, policisë dhe punëtorëve shëndetësorë), gjithashtu do të blihen edhe 200 dhurata për fëmijët.

Për Vitin e Ri, Komunae Vitisë do të blejë një pako raketë me 800 shpërthime.