Qarkullonin me armë zjarri nëpër Tiranë, arrestohen tre persona

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar tre persona, 35 vjeçarin K.Y., 41 vjeçarin E.M., dhe 32 vjeçarin A.N., nën dyshimet për armëmbajtje pa leje.

Policia në njoftimin e publikuar ka thënë se të dyshuarit po qarkullonin me armë zjarri të cilat i mbanin në veturë.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar operacionin e koduar “Almak” ku u bë edhe arrestimi i tre të dyshuarve.

Gjatë operacionit, në rrugën “Muzakët”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. N., dhe pasagjerë shtetasit K. Y., dhe E. M.

Në momentin e ndalimit, shtetasi E. M., ka kanosur punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. Y., shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, për të cilën drejtuesi i automjetit, shtetasi A. N., ka dhënë deklaratë të rreme, se arma ishte e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet, dhe dy mjete të forta (çekiçë), të gjetura gjatë kontrollit të automjetit.

Vijon puna për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së armës së zjarrit dhe sendeve të forta, nga tre të arrestuarit.