Prizrenasit nuk i ndal as coronavirusi, ia mësyjnë kalasë

Qytetarë të shumtë nga Prizreni duket se nuk e kanë shumë problem që i gjithë globi po përballet me pandeminë COVID-19.

Përkundër rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, që të qëndrojnë brenda dhe të mos dalin e të mos grumbullohen në vende ku ka shumë njerëz, ata ia kanë mësyrë kalasë në këtë ditë me diell.

“IKShPK shpreh shqetësimin për lëvizjet e shumta dhe grumbullime të qytetarëve në qytet, parqe dhe vende rekreative të hapura, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe përhapjen e COVID-19, e cila aktualisht është e lokalizuar. Por, nëse nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare”, thuhet në thirrjen e Institutit për kujdes dhe qëndrim në shtëpi.

Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh për të parandaluar përhapjen e COVID-19 ku hynë edhe organizimet dhe mbledhjet me numër të madh të njerëzve.

Në anën tjetër Komuna e Prizrenit, përvec rekomandimeve, nuk ka marrë ndonjë vendim, i cili do të ndalonte frekuentimin e këtyre vendeve si masë për mos përhapjen e coronavirusit.