Prishtinë: Mesazhi i pacientit, ky virus nuk është hajgare

Brenda një dhome, së bashku me bashkëshorten të dy të infektuar me coronavirus, një çift bëjnë apel te qytetarët që të bëjnë kujdes.

Pamjet e shfaqura nga KALLXO.com, e që pacienti nuk dëshiroi që të shfaqej me identitet për shkak të gjendjes, rrëfen simptomat e para dhe trajtimin e tij brenda Klinikës Infektive.

“Simptomat kanë qenë si te shumica, fyti, kollë e thatë, temperaturë, dhimbje nyjash e muskujve. Pastaj kemi bërë testin na kanë kumtuar që jemi pozitiv. Fillimisht jemi trajtuar në shtëpi por më pas kanë ardh na kanë marrë me ndihmë të shpejtë sepse e kanë parë që duhet me u trajtu në spital. Sulmin kryesor e kam pasur frymarrjen”, tha pacienti tjetër.

I infektuar nga bashkëshortja, e cila punon infermiere por e cila po qëndron krah bashkëshortit, pacienti thotë se, gjendja e tij e rënduar me frymëmarrje ka qenë kryesore dhe se i është dashur patjetër që të ketë edhe një përcjellëse për tu kujdesur për të.

Pacienti deri sa shpjegon trajtimin e tij jep edhe mesazhin se si duhet të kihet kujdes për shkak se sipas tij ‘virusi nuk është hajgare’.

“Mos të mendon dikush që kjo punë është hajgare. Që është grip jo nuk është grip. Krejt varet sa dhe kënd pe sulmon gripi. Duhet patjetër që të kihet kujdes. Ka shumë njerëz që po vdesin, të keni kujdes sepse kjo nuk është hajgare, unë vet jam pacient kam kaluar këtë dhe e di sa vështirë ka qenë”, tregon pacienti.

I njëjti i cili tash e 18 ditë po trajtohet ka edhe fjalë të mira edhe për personelin mjekësor për të cilët thotë se janë angazhuar mjaftueshëm duke pasur parasysh që ka pacient të shumtë.

Një pacient tjetër i shtrirë në Klinikën Infektive tregon për simptomat e tij të para të coronavirusit.

“Që dy javë ditë jam.  Edhe unë jam me oksigjen. Mirë nuk ka qenë vështirë, mirë ka qenë. Kam pasur lodhje, plogështi, fyti më ka dhimtë, këto probleme, apetit skam pas fare”, thotë ai.

Klinika Infektive ditëve të fundit ka qenë vazhdimisht e mbushur me pacientë të cilët kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të problemeve shëndetësore të cilët ua ka shkaktuar infektimi me coronavirus.

Përveç Klinikës Infektive, pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në spitalet rajonale nëpër komuna, Klinikën e Pulmologjisë, atë të Neurologjisë si dhe në Qendrën Sportive Mjekësore.

Në këtë të fundit po trajtohen pacientët të cilët kanë gjendje të rënduar.

Në Kosovë, sipas statistikave janë regjistruar gjithsej 4 mijë e 715 raste me COVID-19. Nga kjo shifër në total, 2 mijë e 227 janë shëruar, 101 kanë vdekur ndërsa pjesa tjetër janë duke u trajtuar.