Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani dekoron kontingjentin ukrainas të KFOR-it me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar kontingjentin ukrainas të KFOR-it me Medalje Presidenciale Ushtarake.

Dekorata është ndarë për kontributin e dhënë nga ushtarët ukrainas në kuadër të KFOR-it.

Ushtarët ukrainas do të kthehen në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tyre.

“Për kontributin e dhënë në KFOR, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar kontingjentin ukrainas me Medaljen Presidenciale Ushtarake, i cili e përmbylli shërbimin e tij njëzet e tre vjeçar në Kosovë për t’u rikthyer në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani ka thënë se medalja e sotme është mishërim i mirënjohjes sonë ndaj ushtrisë së Ukrainës.

“Medalja e sotme është një mishërim i mirënjohjes sonë ndaj ushtrisë suaj, si dhe mënyra jonë për të respektuar profesionalizmin që ata kanë shfaqur në Kosovë dhe trimërinë që po shfaqin gjatë kësaj kohe të errët për kombin ukrainas”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas njoftimit, 1,400 ushtarë ukrainas kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999 duke kontribuar për paqen dhe sigurinë.

“1400 ushtarë ukrainas kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999 duke kontribuar për paqe dhe siguri. Kontingjenti i mbetur prej 40 trupash nga Regjimentet Inxhinierike të Forcave të Armatosura do të kthehet në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftim po ashtu thuhet se Kosova është zotuar që të pranojë 5,000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas që të punojnë në distancë nga Kosova.

“Kosova i është bashkuar aleatëve demokratikë në mbarë botën për të dënuar dhe sanksionuar Rusinë për agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar ndaj Ukrainës. Në përpjekjet e saj për të mbështetur ukrainasit në këto kohë të vështira, Kosova gjithashtu është zotuar të pranojë 5000 refugjatë dhe do të mbështesë 20 gazetarë ukrainas që të punojnë në distancë nga Kosova”, thuhet në njoftim.