Ferizaj - 17.03.2020

Pozita dhe opozita në Ferizaj nuk koordinohen për ndarje të buxhetit për pandemi

 

Në një seancë të jashtëzakonshme, kryetari i komunës së Ferizaj Agim Aliu, ka ndarë 200 mijë euro për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Me këtë ndarje nuk është i kënaqur asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Gëzim Kokollari.

Pas përfundimit të seancës ai në llogarinë e tij në Facebook, Kokollari u shpreh se kryetari Aliu nuk e mori parasysh kërkesën e tij që në këtë ndarje të parave të bëhet edhe pagesa e pagave për personelin shëndetësorë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i komunës së Ferizaj, ku thuhet se asamblisti Kokollari ka dezinformuar qytetarët me deklarime të pavërteta.

“Asamblisti Kokollari me protagonizmat e tij fals e bajat tashëm në sytë e ferizajasve, gënjen e shpif pa fije turpi se kinse punëtorët shëndetësorë nuk kanë marrë paga që 6 muaj”, shkruhet në këtë reagim.

Tutje thuhet se komuna ka kryer të gjitha transferet e pagave te operatori i përzgjedhur për kryerjen e pagesave.

“Është e kundërligjshme të i kërkohet komunës pagesa e këtyre pagave, kur mirëfilli dihet se komuna ka përzgjedhur operatorin për këtë shërbim dhe ia ka transferuar gjithë shumën tek operatori për kryerjen e pagave sipas marrëveshjes”, thuhet tutje.

Deri më tani në këtë komunë është vetëm një person i prekur nga Coronavirusi, ndërsa në të gjithë vendin janë 125 persona të infektuar, 10 të shëruar dhe 1 i vdekur.