Policia: I dyshuari kishte qëllim të vriste ish-kryeministrin Abe

Para pak minutave, transmetuesi kombëtar japonez ka raportuar se ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri gjatë një fjalimi në fushatë elektorale në Japoninë perëndimore.

Sipas raportimit të televizionit publik japonez NHK, Policia ka arrestuar Yamagami Tetsuya për tentativë vrasje. Burimet hetimore thanë për NHK se një armë e sekuestruar në vendngjarje dukej se ishte e punuar me dorë.

I dyshuari 41-vjeçar jeton në qytetin Nara ku ndodhën të shtënat. Burimet thonë se i dyshuari ka punuar për Forcën Detare për tri vjet deri rreth vitit 2005.

Policia thotë se i dyshuari u tha hetuesve se ishte i pakënaqur me ish-kryeministrin dhe kishte për qëllim ta vriste atë.

Abe ishte në qytet për të mbështetur një kandidat në zgjedhjet e Dhomës së Lartë të kësaj fundjave.

Zyra lokale e Partisë Liberal Demokratike thotë se paraqitja e Abe u vendos të enjten mbrëma dhe këto detaje u publikuan më vonë për mbështetësit.