Për çfarë grabitje akuzoheshin gratë e dënuara që i fali Presidenti?

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ua ka falur dënimin shtatë të dënuarve nëpër burgje të Koosvës në mesin e të cilëve ka të dënuar për vrasje e po ashtu persona problematik që ishin vështirë të arritshëm për sistemin e drejtësisë.

Nga shtatë personat e falur janë edhe dy gra Lirika Gëzim Sahiti dhe Lumturije Shaban Ramqaj të cilave iu falën 6 muaj nga burgimi që po e mbajnë në qendrën korrektuese në Lipjan.

Të dyja gëto gra kanë qenë të dënuara me nga 3 vite e gjysmë burgim dhe 500 euro gjobë për vepër penale të grabitjes.

Lirika Sahiti dhe Lumturije Ramqaj ishin dënuar më 5 mars të vitit 2019 nga Gjykata Themelore në Prishtinë për një rast të grabitjes që kishte ndodhur një vit më herët në lagjen “Kalabria” të Prishtinës.

Të dyja akuzohen për planifikim paraprak të vjedhjes.

Bashkë me to në këtë vjedhje kishte qenë edhe Edison Bislimi i cili u dënua me 4 vjet e 10 muaj burg si dhe u gjobit me 1,500 euro.

Sipas prokurorisë, Edison Bislimi e kishte thyer me një mjet të fortë  xhamin e lokalit dhe ishte larguar pasi që ishte aktivizuar alarmi pa arritur të marrë ndonjë gjë nga aty, ndërsa dy të akuzuarat Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti kishin bërë roje jashtë lokalit.

Por dy ditë më vonë, më 14 mars, sipas aktakuzës, në rrugën “Ali Vitia” këta tre, bashkë me një person tjetër të panjohur, pas një planifikimi paraprak, i kishin ndarë rolet për grabitje në lokalin “Europhone”.

Aktakuza thotë se në momentin e grabitjes, e dëmtuara Besjana Sufaj ishte duke punuar në lokal ndërsa Lumturije Ramqaj dhe Edison Bislimi e kishin kërcënuar me armë dhe e kishin sulmuar fizikisht duke e kapur për flokë dhe duke e goditur me tytë të revoles në kokë.

Megjithatë, Sufaj kishte arritur ta aktivizonte alarmin dhe të akuzuarit nuk kishin arritur të marrin asgjë nga aty, përveç një çamçakëzi.

Me vendimin e djeshëm Presidenti fali edhe pesë persona të tjerë të cilët akuzohen për vepra të ndryshme.

Presidenti falë të dënuar për vrasje dhe njerëz që u arratisën nga drejtësia