PDK prezanton “Kabinetin për Qeverisje të Mirë”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka prezantuar nëpërmjet një video adresimi  “Kabinetin për Qeverisje të Mirë” (KQM).

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, Krasniqi ka thënë se KQM do të jetë një  platformë politike alternative përballë keqqeverisjes aktuale.

“Partia Demokratike e Kosovës ka një trashëgimi të madhe e domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, ndërsa nga sot, me një frymë të re dhe me shikim kah e ardhmja, ne po vazhdojmë në një rrugëtim të ri dhe tejet të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, atë të shpresës dhe perspektivës.”, ka thënë Krasniqi.

Sipas njoftimit, KQM do t’i ketë 15 departamente dhe 5 prioritete thelbësore: “Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndër shqiptar”.

Krasniqi ka thënë se këto departamente do të udhëhiqen nga koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi të qytetarëve.

“Në ditët e ardhshme, unë do të prezentojë këto ekipe, që do përbëhen jo vetëm nga personalitete e zyrtarë nga radhët e PDK-së, por edhe nga ekspertë e kuadro që po bashkohen me ne në këtë projekt të përbashkët, për të ndërtuar bashkërisht vizionin për të ardhmen e Kosovës që duam.”, ka thënë Krasniqi.