Memli Krasniqi dhe Arben Mustafa/ Foto: PDK

Ekonomisti Arben Mustafa i bashkohet PDK-së, emërohet Koordinator i Departamentit për Financa në KQM

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka prezantuar aderimin e ekonomistit Arben Mustafa në këtë parti.

Krasniqi ka thënë se Mustafa do të jetë koordinator i Departamentit për Financa në kuadër të  “Kabineti për Qeverisje të Mirë”.

“Sot, vërtetë kam kënaqësinë e veçantë që të prezantoj para jush koordinatorin Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, profesorin e dalluar të ekonomisë, Arben Mustafa. Arbeni ka një bagazh të madh profesional e intelektual, në bashkëpunim me ekipin e tonë të ekspertëve, do të na ndihmojë në ofrimin e alternativës sonë për sektorin e financave, që është një ndër pikat më me prioritet në vizionin tonë për qeverisjen e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, Mustafa ka thënë se dëshira dhe vullneti për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit e ka shtyrë që të bëhet pjesë e kësaj platforme.

“Dëshira dhe vullneti i madh për të kontribuar në ndërtimin e një alternative të mirëfilltë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, më ka shtyrë që tërë bagazhin tim akademik e profesional ta vë në funksion të Kabinetit për Qeverisje të Mirë dhe Partisë Demokratike”, tha Mustafa.

Tutje ai tha se ekonomia e Kosovës ka sfida të mëdha, që sipas tij “këto sfida kërkojnë përgjigje profesionale e të bazuara në eksperiencë, pra përgjigje joeksperimentale”.

Kreu i PDK-së gjatë konferencës foli edhe për protestën e djeshme të veteranëve OVL- UÇK-së.

Ai tha se do të kundërshtojë në çdo formë demokratike mos përfshirjen e veteranëve në projektligjin për pagën minimale.

“Ka qenë një imponim, ka qenë një fyerje ajo se çka ka ndodhur dje apo çka është tentuar të ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës. Ne do të kundërshtojmë në çdo formë demokratike sepse besojmë që veteranët duhet të jenë të përfshirë në pagën minimale ashtu siç është diskutuar dhe siç ka qenë në fillim”, është shprehur Krasniqi.

Ndër të tjera, Krasniqi tha se është pro që listat e veteranëve duhet të pastrohen nga ata të rrejshmit duke shtuar se i pari që duhet të hiqet nga lista është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kemi thënë në fillim që ka probleme me listat e veteranëve dhe ato lista duhet të pastrohen. Kushdo që ska qenë veteran e  që është pjesë e asaj liste, duhet të hiqet nga lista por, i pari që duhet të hiqet nga ajo listë si veteran i rrejshëm është Albin Kurti. S’ mundet me qenë veteran një njeri që asnjëherë asnjë minutë nuk e ka veshë uniformën e veteranit të UÇK-së”, deklaroi Krasniqi.

Në muajin e kaluar, kreu i PDK-së përmes një video- mesazhi kishte prezantuar “Kabinetin për Qeverisje të Mirë” (KQM).

Sipas njoftimit, KQM do t’i ketë 15 departamente dhe 5 prioritete thelbësore: “Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndër shqiptar”.

Krasniqi ka thënë se këto departamente do të udhëhiqen nga koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi të qytetarëve.

PDK prezanton “Kabinetin për Qeverisje të Mirë”