Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK në Podujevë: Vetëvendosje dhe LDK po iu bëjnë presion votuesve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Podujevë ka mbajtur një konferecë për media, në të cilën ka akuzuar Vetëvendosjen dhe LDK-në se po i bëjnë presion votuesve nëpër Qendrat e Votimit.

Rafet Llapashtica, asamblist i PDK-së ka thënë se vetura zyrtare po përdoren për të bartur votues.

“Vëzhgues me llogo të subjektit të Lidhjes Demokratike, me numrin e kandidatit është parë në Qendra të Votimit dhe kjo është ndaluar. Vetura zyrtare, që sot është ditë e diel dhe duhet të jenë në parking, qofshin vetura lokale të ekzekutivit, qofshin të nivelit qendror, sot në të gjitha rrugët e Podujevës janë duke bartur struktura dhe votues, e njerëz të cilët mundohen të manipulojnë dhe t’i joshin që të votojnë për subjektin e tyre”, ka thënë Llapashtica.

Ndërsa për Vetëvendosjen ka thënë janë duke bërë presion me llogo të partisë afër qendrave të votimit. Ai këtë e ka quajtur të papranueshme.

Llapashtica iu ka bërë thirrje qytetarëve të Podujevës që të dalin në zgjedhje dhe të mos bien pre e manipulimeve, sipas tij, nga dy subjektet e tjera politike.