Pas vendimit të KGJK-së, në Gjykatën Komerciale dështojnë rreth 40 seanca

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve sikurse në vitin 2017.

KALLXO.com ka konfirmuar se në Gjykatën Komerciale që nga vendimi i KGJK-së, kanë dështuar të mbahen rreth 40 seanca.

“Ju njoftoj se Gjykata Komerciale e Kosovës, bazuar edhe ne vendimin e KGJK, sipas edhe listës se këtij vendimi, nuk ka mbajtur rreth 40 seanca gjyqësore” – ka thënë Albenora Bekteshi, zyrtare për informim në Gjykatën Komerciale të Kosovës.

Për shkak të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, qindra seanca kanë dështuar të mbahen në të gjitha gjykatat e Kosovës derisa vetëm në atë të Prishtinës nuk janë mbajtur 113 të tilla.

Gjykata Komerciale u themelua që të përshpejtohet dhe t’i jepet përparësi trajtimit të rasteve të kontesteve ekonomike dhe kontesteve mes shoqërive tregtare si raste të komplikuara dhe që zgjasin shumë.

Seanca e parë e Gjykatës Komerciale është mbajtur më 9 shtator 2022. Gjykata Komerciale do të trajtojë çështje të natyrës tregtare, ekonomike e fiskale si dhe ka në përbërje dy dhoma, atë të shkallës së parë dhe të dytë.