Pas më shumë se tri orësh, vazhdon ende takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Janë bërë më shumë se tri orë prej kur ka filluar takimi i kryediplomatit evropian, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Takimi trepalësh në Bruksel është duke vazhduar ende, ka thënë për KALLXO.com asistentja për media për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Luca Dilda.

Pas takimit, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell pritet të dal në konferencë për media.

Deri më tani, asnjëra palë nuk ka dhënë informata se çfarë është duke u diskutuar në takim.

Në anën tjetër, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shpërndarë në Facebook statuse të njëjta në mbështetje të kryeministrit.

#meKryeministrin dhe #RKS, janë statuset e njëjta që kanë shpërndarë deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi dhe zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka e zyrtarë të tjerë të kësaj partie.

Takimi në Bruksel po zhvillohet me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka konfirmuar mbrëmë se do të thërrasë një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se është i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës dhe fillimi i avancimit drejt normalizimit të marrëdhënieve.