Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani flet për raportet me Kurtin: Kur vendoset interesi shtetëror, çdo dallim është i tejkalueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për raportet me kryeministrin Albin Kurti pas reagimeve në lidhje me moskoordinimin rreth letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i kishte dërguar Këshillit të Europës.

Osmani ka thënë se nuk ka luftë politike mes Qeverisë dhe presidentes.

Sipas saj, kur vendoset interesi shtetëror dhe qytetar, çdo dallim është i tejkalueshëm.

“Nuk ka asnjë luftë politike. Presidentja e Kosovës kërkon vetëm që të respektohet Kushtetuta, territori, funksionaliteti i shtetit dhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket dokumentit të vitit 2015. Këto janë parime bazë që kam kërkuar gjithnjë të respektohen. Kur vendoset interesi shtetëror, çdo dallim është i tejkalueshëm. Se cili ka qenë dallimi ju e dini sepse për ketë kemi folur publikisht”- ka thënë ajo më 05.06.2024.

Sipas saj, është e domosdoshme që të gjithë të ulen dhe të reflektojnë për tema me interes të përbashkët nacional.

“Nuk ka pasur raport Osmani – Vetëvendosje, raporti ynë është ndërinstitucional dhe është detyrë që të bashkëpunojnë dhe në fakt edhe komunave që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve. Nuk ka lidhja partiake ndonjë rëndësi. Ajo për të cilën unë angazhohem është raporti korrekt në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me interesin, me të gjithë institucionet e Kosovës”- ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk ka pasur ndonjëherë një presidente në historinë e Kosovës që ka pasur vullnet me të madh se ajo që të bashkëpunojë me Qeverinë, Kuvendin dhe partitë politike.

Osmani pas takimit me kryetarët e komunave foli edhe për themelimin e Asociacionit, ku tha se bazë e tij do të jetë kushtetutshmëria dhe ligjshmëria.

Kurti ka folur dje, më 04.06.2024, për raportet me presidenten Osmani, duke theksuar se ka bashkëpunim të ngushtë, por kjo, siç ka deklaruar ai, nuk do të thotë që nuk kanë edhe dallime mes vete.

“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren e Jashtme Gërvalla dhe presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të pakalueshme apo që bëhen kundërthënie”- ka thënë Kurti më 04.06.2024.

Kurti për raportin me Osmanin: Kemi bashkëpunim të ngushtë, por s’do të thotë që s’kemi edhe dallime

Më 16.05.2024, Presidenca e Kosovës kishte reaguar në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Paraprakisht, të njëjtën ditë, ministrja Gërvalla- Schwarz në konferencën për media e pyetur nga gazetarët se a ka pasur dakordim mes institucioneve për letrën e dërguar në KiE, ajo tha se “koordinimi në institucioneve është si rrallë  herë në një nivel të jashtëzakonshëm”.