“Nesër një ditë e re” , mbrëmje humanitare për të prekurit nga tërmeti

Për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, nesër mbrëma në “Sheshin 21”, duke filluar nga ora 20:00, Inva Mula me shumë miq artistë do të mblidhen në mbrëmjen  humanitare “Nesër është një ditë e re”.

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, e cila përjetoi edhe vet tërmetin pasi që atë natë ishte në Tiranë, bëri apel që të jenë të gjithë solidar për të ndihmuar.

Mula tha se këtë iniciativë e mori për të sensibilizuar njerëzit.

“Ne artistët që jemi me një karrierë internacionale e shikojmë që artisti ka shumë në dorë për të sensibilizuar, se është vet arti është diçka që shpërndahet shumë shpejt me emocion, kështuqë një thirrje që bën një artist shkon shumë më shpejt se sa një thirrje që bëjë një politikan,”, tha Mula, duke shtuar se dëshira e brendshme për të diçka për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti e shtyu atë që të bëjë një lajmërim për aksion humanitar, i cili mblodhi shumë artistë, që fillimisht mbajtën mbrëmje humanitare në Tiranë me 8 dhjetor.

Sa i përket mbrëmjes që do të mbahet nesër, Mula shtoi se ideja e kësaj mbrëmje nuk është vetëm të mblidhen para, por edhe për të përçuar një mesazh që njerëzit të bëhen solidar.

Në mbrëmjen humanitare “Nesër një ditë e re” do të ndërthuren disa zhanre, si muzika klasike, e recitime.

Sopranoja Mula bëri të ditur edhe emrat e artistëve të cilët do të performojnë në këtë mbrëmje: Safete Rugova, Xhevat Limani, Majlinda Nushi, Pajazit Murtishi, Dibran Fylli, Genc Tukiçi me të bijën Nadian, Olen Çezari, Lule Elezi, Adelina Paloja, Era Hoxha, prof.. Robert Raodja, kori i fëmijëve Okarina, Ansambli “Zanat”, Eden Loren.

Ndërsa njerëzit vullnetmirë të ndihmuar përveç prezencës së tyre në mbrëmje mund të ndihmojnë edhe duke dhuruar fonde në një llogari bankare,  e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 dhjetor, Mula bëri të ditur se nesër do të publikohen të dhënat e kësaj llogarie.

Të gjitha fondet e mbledhura nga këto mbrëmje,  siç tregoi sopranoja Inva Mula  do të shkojnë për ndërtimin e një shkolle, por që ende nuk është arritur shuma e mjaftueshme për ta realizuar këtë projekt./21Media