'Shota' me koncert humanitar për familjen Abazi

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka vendosur që koncerti premierë që do të mbahet të shtunën e ardhshme, më 7 dhjetor 2019, të jetë humanitar, dhe të gjitha të hyrat që do të mblidhen nga shitja e biletave t’i dedikohen familjes Abazi nga Gjilani.

Koncerti premierë humanitar i “Shotës” do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.

Lajmin për karakterin humanitar të koncertit premierë të “Shotës” është bërë i ditur nga drejtori i këtij institucioni, Shefqet Gjocaj.

“Për shkak të pasojave tragjike të tërmetit të 26 nëntorit, në Shqipëri, kishim anuluar koncertin premierë të ansamblit Shota, i planifikuar të mbahej me datë 27 nëntor, kemi vendosur që të njëjtin ta mbajmë me datë 7 dhjetor (ditë e shtunë) dhe do të ketë karakter HUMANITAR: Respektivisht, të gjitha mjetet që do të grumbullohen nga shitja e biletave, do t’i dedikohen familjes Abazi, nga Livoçi i Ulët i Gjilanit, e cila humbi dy anëtarë të familjes në këtë fatkeqësi”, ka shkuar Gjocaj në llogarinë e tij në Facebook.

Koncerti premierë i Ansamblit “Shota” ishte planifikuar të mbahet më 27 nëntor, në kuadër të festimeve për Ditën e Flamurit, por ishte shtyrë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që goditi  Shqipërinë.

Në mesin e shumë viktimave si pasojë e tërmetit vdiqën edhe dy vëllezërit, Shemsedin dhe Isa Abazi nga Livoçi i Ulët Gjilanit.