Koncert humanitar për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri

Këtë të mërkurë, më 18 dhjetor 2019, në Teatrin ODA, në ora 20:00, mbahet një koncert humanitar dedikuar të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Teatri ODA, përmes një njoftimi në Facebook, njofton se mbrëmja së mërkurës do të mbledh në ODA artistë vendas dhe të huaj me famë botërore, si: Eda Zari, Ilir Bajri, Elina Duni, Visar Kuçi, Tavitjan Brothers, Shpat Deda, etj.

“Koncerti i përvitshëm “Udhëtim dimëror” – Jazz dhe Poezi; me muzikantë e aktorë, vendas e të huaj, këtë herë realizohet për të kontribuar drejtpërdrejt në ndihmë vëllezërve, motrave dhe familjet e prekura nga tërmetet e fundit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Teatrit Oda në Facebook.

Bileta për koncertin do të kushtojë 12 euro dhe të gjitha të  ardhurat e mbledhura do të shkojnë direkt për familjet e dëmtuara nga tërmeti dhe atyre me pasoja traumatike.