Manolja Kabashi. Foto: Facebook

Aktivistët në Prizren Organizojnë Mbrëmje Humanitare për 22 Vjeçaren e Sëmurë

Aktivistë dhe qytetarë të Prizrenit do ta organizojnë një mbrëmje bamirësie për Manolja Kabashin, vajzën 22 vjeçare nga Prizreni e cila aktualisht është duke u trajtuar për leukemi në një spital në Stamboll të Turqisë.

Mbrëmja e bamirësisë mbahet më 9 Shtator 2017 dhe fillon në orën 19.00, në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.

Kjo mbrëmje përkrahet zyrtarisht nga dy shoqatat e afaritstëve të Prizrenit, derisa platforma mediale kallxo.com do të ofrojë mbulesën mediale. Përkrahëse të këtij organizimi janë edhe ndërmarrjet shërbyese hoteliere të qytetit, kafeteritë dhe depot e pijeve.

Gjatë mbrëmjes së bamirësisë do të performojnë dy bende muzikore, Kuarteti Pentagram dhe Jericho. Ndërsa në fillim të mbrëmjes do të organizohet edhe audicioni me piktura dhe fotografi të dhuruara nga piktorë dhe fotografë të njohur të Kosovës. Mbrëmja do të jetë e hapur për publikun, ndërsa për pjesën e audicionit ne kemi ftuar personalitete nga komuniteti afarist, partitë politike, institucionet publike, përfaqësitë diplomatike, organizatat e shoqërisë civile, akademia dhe media.

E gjithë mbrëmja do të transmetohet drejtpërdrejtë në platformën mediale KALLXO.com, ndërsa të gjitha mjetet e tubuara do t’i dhurohen familjes së Manolja Kabashit për t’i mbuluar shpenzimet e shërimit, thuhet në komunikatën e aktivistëve dhe qytetarëve të Prizrenit.