Të shtunën në pishinën e Gërmisë mbahet koncerti humanitar 'MUWW II'

Organizuar nga “Rockuzinë”  këtë të shtunë, më 15 qershor 2019, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë do të mbahet koncerti i dytë me radhë, “Metal United World Wide II” (MUWW).

Koncerti do të mbahet duke filluar nga ora 17:00, ndërsa pritet të performojnë emra të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe të huaj. Një pjesë e të hyrave nga shitja e biletave për këtë koncert do të shkojë për fëmijët në nevojë.

Përmes një komunikate për media, “Rockuzinë” njofton se “Metal United World Wide II”, koncerti me famë botërore që organizohet në 70 shtete e përfshinë mbi 300 bende të ndryshme rock e heavy metal, për herë të dytë organizohet në Kosovë.

Koncerti “Metal United World Wide II” organizohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e innovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

“Kjo ngjarje e veçantë e rock dhe heavy metal muzikës do të organizohet të shtunën, më 15 qershor 2019 nga ora 17:00, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, e ku do të performojnë: Eugent Bushpepa, nga Tirana, Sunchair nga Dusseldorf, Jericho nga Prishtina, Harmed nga Budapest, si dhe bendet 4×4, Land of Confusion, Frisson, Krieg, Sotap dhe Shlem, nga Prishtina”, thuhet në komunikatën e “Rockuzinës.

MUWW ka filluar të organizohet që nga viti 2014 në Australi, ndërsa nga viti 2018, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njëjtë në të gjithë botën, në të njëjtën datë, të identifikuar me të njëjtin flamur.

Me këtë koncert “Rockuzinë” për herë të dytë e vendos Kosovën në hartën e MUWW, ku muzika rock e heavy metal  bashkon bende, fansa, organizator dhe media duke krijuar një ndenjë të komunitetit që tërheq vëmendjen e të gjithëve.

Sipas komunikatës së “Rockuzinë”, 30% e të hyrave nga biletat do të dhurohen për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë, përmes Cure2Children Kosove. Çmimi i biletës është 5 Euro, ndërsa në hyrje kushton 8 Euro. Biletat për koncertin MUWW II mund të blihen në: Rockuzinë (Prishtinë), Dit’ e Nat’ (Prishtinë), MIQT Pub (Prishtinë), Deck (Prishtinë), Check in Bar Ferizaj (Ferizaj), BarAca (Prizren), MuseumPub (Mitrovicë), Bar “Hardhia” (Rahovec), Diesis Music Hall (Tiranë).