Takimi i liderëve të Ballkanit në Shqipëri.

Në Shqipëri synohet jetësimi i “Mini-Shengenit” ballkanik

 

Në Shqipëri është duke u mbajtur takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, raporton REL.

Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev kanë nisur diskutimet me dyer të mbyllura, ndërkohë që i pranishëm për herë të parë në takim është edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, për të cilin ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse i është bashkuar zyrtarisht iniciativës për krijimin e “Shengenit Ballkanik”.

Pavarësisht se Gjukanoviq është i pranishëm në këtë tryezë, ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse Mali i Zi i është bashkuar zyrtarisht iniciativës për krijimin e “Mini-Shengenit” ballkanik.

Paraprakisht është bërë e ditur se liderët do të diskutojnë për hapat e mëtejshëm të thellimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, kryesisht në fushën ekonomike dhe lëvizjen e lirë.

Ashtu si në dy takimet e mëparshme, Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e takimit, ndërsa as Bosnjë e Hercegovina nuk është e pranishme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u prit me protestë teksa arriti në Tiranë në pasditen e së premtes për të marrë pjesë në punimet e samitit që synon jetësimin e krijimit të “Mini-Shengenit” ballkanik.

Nën masa të shtuara të sigurisë, dhjetëra protestues iu bashkuan thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me ftesën që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka bërë presidentit Vuçiq dhe për të demonstruar planet për krijimin e një zone të përbashkët mes shteteve ballkanike që synon të bazohet mbi zonën Shengen të shteteve kryesore evropiane, e që mundëson lëvizjen e lirshme të njerëzve dhe mallrave.

Protestuesit mbanin me vete fotografi të masakrave gjatë luftës në Kosovë.

Plani për krijimin e “Mini-Shengenit” ballkanik është kundërshtuar nga faktorët kyçë në Kosovë, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, i cili ka refuzuar ftesën e kryeministrit Rama për pjesëmarrje në samit me arsyetimin që forume të tilla janë të padobishme derisa Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe mohon krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës ’98-’99 në Kosovë.

Edhe sot, eskortat e liderëve, u pritën me brohoritje nga dhjetëra protestues.