Në 22 vjetorin e Masakrës së Rezallës, kërkohet drejtësi për të rënët dhe të zhdukurit

Gjatë ditës së sotme është përkujtuar Masakra e Rezallës në 22 vjetorin e saj.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë sot se është angazhuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve në këtë masakër.

“Si kryetar i Komunës së Skenderajt, në vazhdimësi jam angazhuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve duke ngritur zërin dhe duke kërkuar nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtare që të detyrojnë shtetin serb në gjetjen e varreve masive”, tha Jashari.

Ai tutje tha edhe se Masakra e Rezallës është dëshmi e krimit dhe gjenocidit serb në Kosovë.

“Masakra e Rezallës po ashtu është dëshmi e krimeve dhe gjenocidit që kriminelet serb bënë në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Fatkeqësisht familjarët e disa prej martirëve të rënë në masakrën e Rezallës përpos dhimbjes për humbjen e më të dashurve të tyre, ata kanë jetuar tash e 22 vite duke pritur gjetjen e trupave të martirëve të kësaj masakre”, deklaroi Jashari.

Kryetari Jashari, bëri thirrje për unitet në mënyrë që kështu të ngritët shteti në vendin për të cilin edhe u flijuan dhe e ëndërruan dëshmorët.

“Të bëhemi bashkë që ta bëjmë shtetin tonë që rinia jonë të këtë punësim e mirëqenie dhe kështu ta duan këtë shtet për të jetuar në të, në vendin që më të dashurit tonë brez pas brez dhanë më të shtrenjtën jetë që ne sot të jetojmë të lirë”, tha Jashari.

Muhamet Rukolli, i cili njëherësh është përfaqësues i fshatit Rezallë, në emër të familjeve të martireve dhe dëshmorëve, kërkoi që drejtësia për të rënët dhe të zhdukurit të Rezallës të vihet në vend.

Gjatë homazheve në këtë kompleks, në nderim të të rënëve kryetari Jashari shoqëroi edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.