Ndjekje si në filma, Policia arreston dy persona, dyshohet se fshehën kokainë në çorape

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar dy persona të dyshuar për posedim të narkotikëve.

Patrulla e Policisë së hetimeve të trafikimit me narkotikë e Drejtorisë së Ferizajt fillimisht i kishte ndalur dy të dyshuarit për kontroll në Han të Elezit dhe ata pasi kishin vërejtur njësitin Anti Drogë, me vrull kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Pas ndjekjes për 1.5 kilometra, Policia i ka ndalur ata dhe gjatë kontrollit të veturës dhe personave, nuk është gjetur asgjë e dyshuar, kurse në rrugën “Imri Curri”, në anën e djathtë të rrugës, në një gropë të hapur, afër rrjetit të ujësjellësit, është gjetur një çorapë e zezë, në brendësi të së cilës gjendej një substancë e bardhë e dyshuar për kokainë, e mbështjellë me qese të tejdukshme najloni.

“Personat e lartshënuar janë arrestuar dhe janë dërguar Stacionin Policor në Han të Elezit e pastaj në Ferizaj për procedura të mëtutjeshme policore . Në vend ngjarje kanë dal Krim-teknika e (DRP Ferizajt), të cilët kanë fotografuar dhe kanë tërhequr  dëshminë për ekzaminim”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Tutje thuhet se lidhur me këtë është kontaktuar prokurori kompetent, në konsultim me të dhe me urdhër të gjykatësit, me qëllim të sigurimit të provave që ndërlidhen me rastin, në Prishtinë nga Anti-Droga e Prishtinës është kontrolluar një banesë.

Policia ka shtuar se gjatë kontrollit të banesës nuk është gjetur asgjë e dyshuar, kurse në korridor, në një orman-kuti të postës pa emër është gjetur një peshore digjitale, që dyshohet se është përdorur për matje të substancave narkotike.

Në cilësinë e provave materiale  janë sekuestruar/konfiskuar, dëshmitë si në vijim: Substancë e dyshuar për narkotikë të llojit Kokainë, me peshë 205.8 gram; Telefon i tipit Iphone XR, ngjyrë të kuqe; Telefon i tipit Iphone 8, ngjyrë  vjollce; Para: 1 X 100 euro, 1 X5 Euro, 1X10 dinar të Serbisë, 2 X 100 Denar të Maqedonisë; Një kartelë e bankë; Një çelës i veturës BMW; Veturë e tipit VW Passat , me targa vendore, ngjyrë kafe; Iphone 11, ngjyrë e zezë, ; Një kartelë të bankës; Një peshore digjitale, ngjyrë e zezë.

Policia e Kosovës njësitet e Anti-Drogës në Prishtinë dhe Ferizaj janë duke punuar në identifikimin dhe kapjen edhe të paktën një personi tjetër që dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast.

“Pas intervistimit të dy (2) personave të dyshuarve tani më të arrestuar nga Policia, Prokurori i Shtetit lëshon Aktvendim mbi Ndalimin e tyre për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në fund.