Arkiv

Mungesa e kuorumit, nuk votohen dy rezoluta të Lëvizjes Vetëvendosje

Dy rezoluta të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, një në lidhje me dialogun e Kosovës me Serbinë dhe një tjetër në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të ushtrisë serbe në Karaçavë, nuk janë votuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, nuk është votuar shkaku i mungesës së kuorumit.

“23 deputetë marrin pjesë në votim dhe në mungesë të kuorumit votimi përsëritet”, ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe rezoluta tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje e nxjerrë pas raportimit të kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me dialogun, nuk është hedhur në votim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se janë në proces të harmonizimit të rezolutës dhe se në momentin që e harmonizojnë do ta hedhin në votim.

Kuvendi gjithashtu nuk ka arritur ta votojë shqyrtimin e parë të Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.

“Vetëm 21 deputetë kanë marrë pjesë në votim dhe ky votim duhet të përsëritet”, theksoi e para e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Edhe votimi i rezolutës për arsim është shtyrë për harmonizim.

Këtë kërkesë e kishte shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Kjo rezolutë të shtyhet për votim për një herë tjetër, pasi që kemi vërejtje se si janë formuluar dy pikat e fundit”, tha Gashi.

Seanca e Kuvendit

Seanca e Kuvendit

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 21 septembre 2020