Momenti i sikletshëm i Borrellit kur presidenti serb nuk ia zgjati dorën

Pa shtrëngim duarsh ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në pamjet që Bashkimi Evropian i ka publikuar, shihet se përfaqësuesi i Lartë të BE-së, Josep Borrell ia zgjatë dorën presidentit të Serbisë, mirëpo shihet se presidenti Vuçiq është më shumë i fokusuar tek kryeministri i Kosovës.

Shtrëngim duarsh nuk pati nga asnjëri nga pjesëmarrësit, secili u ul në ulësen e tij në heshtje.

Sot është hera e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 09:30, ndërkaq në 10:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.

Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Takimi 3 palësh ka përfunduar ndërsa palët i janë kthyer edhe njëherë takimeve bilaterale.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.