Mjeku i akuzuar në rastin ‘Stenta 2” parashikoi krizën me COVID-19 në Kosovë

Në fund të shkurtit kur në Kosovë situata ishte normale dhe punët nuk ishin ndërprerë, një kardiolog i akuzuar në rastin “Stenta”, kishte parashikuar se seanca e radhës për të nuk do të mbahej.

Mjekut madje nuk i besoi as gjyqtari, mirëpo parashikimi i tij doli i saktë pasi nga fillimi i marsit puna në biznese e institucione në Kosovë, duke përfshirë sistemin gjyqësor është ndërprerë.

Fillimi i vitit 2020 e gjeti Kinën dhe gradualisht një pjesë të madhe të botës në krizë nga përhapja e virusit të ri COVID-19.

Coronavirusi i ri u shpall përfundimisht pandemi më 11 mars, ndërsa në Kosovë dy rastet e para me këtë virus u paraqitën më 13 mars.

Që nga ajo ditë, Qeveria e Kosovës nisi marrjen e vendimeve për izolim të vendeve të prekura dhe më vonë mbylljen e aktiviteteve jo-esenciale.

Paraprakisht, më 26 shkurt po mbahej seanca ndaj kardiologëve të akuzuar për referim të pacientëve në spitale private.

Besim Guda, kardiologu i akuzuar në rastin ‘Stenta 2’ kishte kërkuar nga gjykata të shtyheshin seancat për muajt mars dhe prill për shkak të pandemisë së coronavirusit.

“Dje isha doktor kujdestar andaj kërkoj që seanca e sotme dhe seancat në muajt mars dhe prill të shtyhen për shkak të pandemisë së coronavirusit”, tha ai.

Por propozimi i tillë u mor me shaka nga trupi gjykues i përbërë nga Shadije Gërguri, Shashivar Hoti dhe Agim Kuçi.

Madje gjykatësi Hoti i kishte thënë se “Neve nuk ka rrokë virusi”. Kësaj, Guda ishte përgjigjur: “ Juve jo, por neve po!”.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë propozim të të akuzuarit Guda.

Sipas vendimit të Këshillit Gjyqësor  të datës 16 mars tani gjykatat po punojnë me staf të reduktuar dhe vetëm për raste emergjente.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.

#Aferdita Selmanaj, Afrim Koniku, Agim Kuçi,Alban Leka Agron Besimi, Agron Reka, Arianit Koci,Besim Buda, Bajram Preteni, Besnik Koliqi, DardanKoqinaj, Driton Miftari, Edmond Hamiti, Ejup Pllana, Elfedin Muhaxheri, Florije Shamolli, Gani Bajraktari, Halim Halimi, Kadri Mjekiqi, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Lazër Prekpalaj, Nebi Musliu, Nezmi Beqiri, Petrit Ademaj, Prishtinë, Reshat Emra, Rexhep Manaj, Sali Shala, Shadije Gerguri, Shashivar Hoti, Stenta 2, Xhevdet Krasniqi.