I akuzuari në rastin ‘Stenta 2’ kërkon ndërprerjen e seancës për shkak të ‘Corona Virusit’

Në gjykimin ‘Stenta 2’, i akuzuari Besim Guda, kërkoi të shtyhet seanca për shkak të prezencës së pandemisë së ‘Corona Virusit’.

“Dje isha doktor kujdestar andaj kërkoj që seanca e sotme dhe seancat në muajt mars dhe prill të shtyhen për shkak të pandemisë së Corona Virusit”, tha ai.

Por trupi gjykues nuk e mori parasysh këtë propozim duke e kthyer në shaka se “neve nuk na rrok virusi”, e i akuzuari Guda tha se “…jo juve nuk ju rrok por neve na rrokë”.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.