Skender Çoçaj, KGJK. Foto: Atdhe Mulla

Vendimi i KGJK-së për masat mbrojtëse ndaj coronavirusit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 15 mars 2020, ka nxjerrë një vendim pas konfirmimit të rasteve pozitive me coronavirusin COVID-19.

Ky vendim erdhi pas vendimit të qeverisë që të shpallë gjendje emergjente në vend. Deri më tani në Kosovë janë 13 raste të identifikuara me coronavirus.

Më poshtë gjeni listën e masave të ndërmarra nga KGJK në këtë situatë:

Reduktohen esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër të Këshillit Gjyësor të Kosovës dhe të gjitha Gjykatat e Kosovës.

Kryetarët e Gjykatave të caktojnë gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten.

Autorizohet Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit.

Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik.

Masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ky vendim hyn në fuqi më 16 mars 2020.

Deri më tani janë 13 persona në tërë vendin që janë infektuar me COVID-19.

Të prekurit janë nga zona e Vitisë, Klinës, Malishevës dhe Podujevës.

Qeveria e Kosovës  dje ka shpallur edhe gjendjen e jashtëzakonshme në vend.