Ilustrim

Mitrovicë, konfiskohen tri armë e arrestohen tre persona

Një pushkë gjuetie, një pistoletë dhe një armë tjetër janë konfiskuar nga ana e Policisë së Rajonit të Mitrovicës në 24 orët e fundit.

Cak i policisë ishin dy shtëpi e një lokal, ku në këtë të fundit policia shkoi pasi kishte marrë informacion për një mosmarrëveshje.

Policia e Rajonit të Mitrovicës kanë njoftuar se gjatë realizimit të një bastisjeje të një shtëpie në fshatin Mikushnicë të Komunës së Skenderajt është konfiskuar një pushkë gjuetie dy tytshe me afat të skaduar të lejes për armëmbajtje.

Armën e dytë së bashku me dhjetë predha policia e kishte gjetur në qytetin e Mitrovicës më saktësisht gjatë bastisjes në rrugën “Adem Voca”.

Policia gjithashtu ka njoftuar se pasi kishte marrë një informacion për një mosmarrëveshje në një lokal i ishte përgjigjur rastit, ku edhe kanë arritur ta identifikojnë një person dhe të konfiskojnë një pistoletë me një karikator dhe shtatë fishekë.

Nga të tria rastet policia ka arritur të arrestoj tre persona, ku më pas janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorëve të rastit, të dyshuarit janë liruar në procedura të rregullta dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprën penale të përdorimit të armëve pa leje.

Ndërsa ndaj të dyshuarit të tretë është iniciuar rast edhe për kanosje.