Vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë: Së pari telefonohen moshat më të shtyra pavarësisht regjistrimit në e-Kosova

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë sqarime në lidhje me procesin e vaksinimit dhe renditjes së thirrjes së qytetarëve për të marrë vaksinën anti COVID-19.

Sipas sqarimeve të MSh, qytetarët telefonohen sipas kategorisë që ka filluar vaksinimi dhe prioritet ka mosha më e shtyrë.

“Keni parasysh, ftesat dërgohen sipas kategorive qe fillojnë vaksinimin dhe nëse një person shembull i moshës nën 65 vjeçe është regjistruar dhe ka aplikuar para një personi tjetër të moshës mbi 65 vjeçare, pavarësisht se cili është regjistruar përpara, ftesa me parë do t’i bëhet personit mbi 65 vjeç, për shkak se me këtë grupacion ka filluar vaksinimi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Po ashtu sipas Ministrisë së Shëndetësisë, personat e grupmoshës së njëjtë telefonohen sipas regjistrimit në platformën e- Kosova.

“Por, do te thirren te gjithë varësisht prej kohës kur nis vaksinimi për kategori te caktuara. Edhe rastet te cilat janë kontaktuar me telefon dhe nuk janë lajmëruar, për t’u siguruar, thirren nga disa herë. Brenda një kategorie apo grupmoshe të njëjte, thirrjet bëhen me radhe ashtu siç janë regjistruar ne platforme e-Kosova”, thuhet në sqarimin e MSh-së.

Qytetari kërkon Arben Vitisë transparencë në procesin e telefonimit nga MSh për të marrë vaksinën anti COVID-19