Qytetari kërkon Arben Vitisë transparencë në procesin e telefonimit nga MSh për të marrë vaksinën anti COVID-19

Qytetari Dren Shahini ka ngritur dyshime rreth procesit të vaksinimit dhe thirrjes së personave nga Ministria e Shëndetësisë.

Shahini ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që lista e personave të moshuar të regjistruar në platformën e-Kosova të jetë publike ndërsa ka kërkuar po ashtu informacione se deri në cilën datë ka ardhur thirrja e qytetarëve.

“Pse mos me qenë publike lista e qytetarëve që kanë aplikuar në portalin e-Kosova, koha e aplikimit dhe dita e koha e thirrjes për vaksinim?  Deri në cilën datë të aplikimit ka arritur thirrja?  Si të besojmë se ata që thirren, janë vërtetë ata që kanë aplikuar?  Si të besojmë se ata që thirren nuk janë të afërm të dikujt me pushtet?  Transparencë, kaq!”, ka shkruar Shahini.

Shahini në publikim ka bashkëngjitur edhe një dokument të aplikimit të nënës së tij me datën 30 mars 2021 kurse ka shtuar se dje babai i tij është vaksinuar edhe pse nuk ka qenë i regjistruar në këtë platformë.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Shëndetësisë rreth këtyre pretendimeve ndërsa të njëjtit nuk kanë kthyer ende përgjigje.