Masat për coronavirusin, lirohen edhe dy klinika për pacientët e mundshëm

Qendra Klinike e Universitare e Kosovës ka liruar edhe dy klinika në rast se në ditët në vazhdim mund të ketë edhe më shumë të prekur me coronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media.

“Kemi rreth 500 shtretër në rast të një fluksi me pacientë në klinikat e QKUK, janë liruar edhe Klinika e Pulmologjisë dhe Klinika e Dermatovenerologjisë në rast se mund të kemi probleme dhe fluks të të prekurve me coronavirus, pacientët do të shkojnë në Klinikën e Alergologjisë. Spitalet private kanë shprehur gatishmërinë për resurset humane dhe pajisjet në rast nevoje menjëherë sapo ju kemi kërkuar. Dje kemi regjistruar rreth 150 vullnetarë të profileve mjekësore dhe jo mjekësore”, tha Vitia.

Gjithashtu ministri ka bërë të ditur që tashmë kanë filluar edhe blerjen e materialeve mbrojtëse për personelin mjekësor.

“Do të kemi furnizime ma të qëndrueshme për të gjitha institucioneve. Qeveria ka alokuar 6.2 milionë euro nga 10 milionë euro që janë ndarë.  Furnizimi për stafin shëndetësor dhe furnizimin e QKMF. Javën tjetër vjen një kontigjent me ndihma nga OBSH”, shtoi ai.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 17 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.
Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.