Mali i Zi fut në karantinë Tuzin

Pas zbulimit të një sërë rastesh me koronavirus në qytetin e Tuzit, autoritetet kanë vendosur një izolim të plotë të tij, duke mos i lejuar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre ose qyteti.

Qeveria e Malit të Zi ka imponuar një bllokim të plotë të komunës së Tuzit, një qytet kryesisht etnik shqiptar me rreth 15,000 banorë, pasi zyrtarët e shëndetit publik zbuluan atje 15 raste me koronavirus.

Milutin Simoviç u tha vendasve të martën në mbrëmje se ata do të duhet të qëndrojnë në shtëpi deri në një njoftim të mëtejshëm. “Pa përjashtim, të gjithë qytetarët e Tuzi duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ne kemi filluar një betejë për këtë qytet dhe për të gjithë Malin e Zi”, tha Simoviç në një konferencë për shtyp.

Zona e Tuzit kufizohet me kryeqytetin, Podgoricën, nga njëra anë dhe shtrihet në kufirin me Shqipërinë në anën tjetër. Ajo njihet gjithashtu si Malësia dhe është një vend me pakicë etnike shqiptare, e cila numëron rreth 5 për qind të popullsisë së vendit.

Që nga e marta në mbrëmje, të gjitha rrugët nga Tuzi në Podgoricë janë bllokuar, ndërsa policia dhe ushtria janë në rrugë dhe kanë ngritur pika kontrolli. Lëvizja në rrugë është e ndaluar, ndërsa vullnetarët do të furnizojnë qytetarët gjatë periudhës së karantinës.

Shtabi i emergjencës i qytetit tha se të gjithë qytetarët që kanë pasur kontakt me rastet e infektuara do të duhet të testohen.

Njëzet e tre raste të tjera me koronavirus u konfirmuan në Mal të Zi të mërkurën ndërsa 5,972 persona janë nën mbikëqyrje shëndetësore. Deri më tani, në vend ka 42 raste të konfirmuara me Covid-19. Një pacient ka ndërruar jetë.

Kryeqyteti ka ofruar një donacion prej 50,000 eurosh për Tuzin për të ndihmuar qytetin të mbulojë kostot, ndërsa shërbimet e qytetit gjithashtu do të dezinfektojnë të gjitha vendet publike atje.

Kreu i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosa, tha se situata në qytet ishte shqetësuese. “Tuzi ka një popullsi prej 15,000 banorësh. Nëse infektimi nga koronavirusi  zgjerohet në vetëm 40 përqind të popullsisë, atëherë do të shkonin deri në 6,000 raste. Kjo është një situatë drastike”, tha Mugosa.

Kryetari i komunës  së Tuzit Nik Gjeloshaj u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit. Ai tha se të gjithë duhet të japin “besën” se doo të qëndrojnë në shtëpi, për të shpëtuar Tuzin dhe Malësinë. “Ne mund të qëndrojmë për disa ditë në shtëpitë tona. Mund të qëndrojmë edhe disa javë, për të shpëtuar popullsinë dhe për të dalë së bashku si fitues të kësaj beteje”, tha Gjeloshaj/Reportel.al