Seanca e Kuvendit të Kosovës më 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi merr vendim që të auditohet puna KOSTT-it në gjashtë vitet e fundit

Me 64 vota për, 15 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi e ka miratuar raportin me rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në NP KOSTT Sh.A. institucion ky që do t’i nënshtrohet auditimit në retro periudhë gjashtë vjeçare.

Jeta Statovci zëvendëskryetare e Komisionit për Ekonomi gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ka paraqitur këto rekomandime:

  1. Zyra Kombëtare e Auditimit të bëjë auditim të menjëhershëm të të gjitha vendimeve nga 1 janari 2015, të cilat kanë të bëjnë me dhënien e pëlqimeve për ndërtim shfrytëzim të pronës së ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A nga palë të tjera si dhe projekte që kanë të bëjnë me investime kapitale.
  2. Zyra Kombëtare e Auditimit të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes publike të KOSTT Sh.A më së largu deri më 30 shtator 2021 me fokus në vendimet lidhur me strukturën e brendshme organizative dhe vendimet e ALPEX, dega në Kosovë.
  3. Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë të gjitha marrëveshjet për blerjen e energjisë së prodhuar në mes të ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A dhe kompanive që operojnë me burime të ripërtërishme lidhur me pagesat e tarifave nxitëse.

“Shpresojmë të kemi mbështetjen tuaj në këto rekomandime”, ka thënë Statovci.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka sjellë në kujtesë se në kohën kur është mbajtur mbledhja në të cilën ishte ftuar KOSTT-i të raportojë, që në fillim ishte kërkuar që të largohen mediat dhe Komisioni të mbajë mbledhjen me dyer të mbyllura, duke e konsideruar këtë si veprim jotransparent.

“Unë si përfaqësuese e LDK kam kërkuar që të mbesin mediat aty në mënyrë që të ketë transparencë të plotë ndaj qytetarëve dhe çka do që diskutohet të jenë të informuar”, ka deklaruar Bunjaku-Rexhepi.

Gjatë kësaj seance, parlamentarët kanë votuar me 82 vota për, pa ndonjë kundër apo abstenim edhe raportin me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare.