Kurti viziton familjet e Afrim Bunjakut dhe Enver Zymerit: Festat e fundvitit do të ishin më të plota me ta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjet e heronjve të Kosovës Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri.

Bunjaku e Zymeri ranë në krye të detyrës së tyre si policë në veri.

Kurti shkruan se ata ranë “për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”.

Kurti në vizitë ishte së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Në Samadrexhë, tek familja e Afrim Bunjaku, Kurti shkoi së bashku me djalin e Enver Zymerit, Sokolin.

“Nga aty, me dy djemtë e Afrim Bunjakut, Fatlumin e Jetlumin vizituam familjen e Enver Zymerit. Na pritën vëllau Egzoni, gruaja Drita, djali Sokoli, vajzat Luljeta e Rinesa, axha Ramadani dhe shumë të tjerë”, shkruan Kurti.

Kurti shkruan se festat e fundvitit do të ishin më të plota me Afrimin e Enverin, “por ne nuk i harrojmë asnjëherë sepse ata janë historia krenare e Republikës sonë”.