Kurti: Rrisim investimet në ushtri sepse duam ta mbrojmë veten

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë solemne të FSK-së  për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë, foli edhe për investimet në Ushtrinë e Kosovës.

Kryeministri tha se investimet në ushtri do të bëhen për të mbrojtur veten, e jo për të sulmuar ndonjë vend tjetër.

“Pikërisht pse jemi popull liridashës, ne duhet të jemi në gjendje të mbrojmë lirinë dhe paqen tonë. Vendet demokratike në të gjithë botën, duan paqe dhe punojnë përditë, që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme, e megjithatë investojnë në ushtri, paisje të reja ushtarake. Investimet në ushtri dhe në mbrojtje nuk bëhen sepse duam luftë, por sepse nuk duam që lufta të vijë tek ne, ne vetëm sa duam, sepse duhet të jemi në gjendje për të mbrojtur vetveten”, tha Kurti.

Kurti deklaroi se Kosova duhet të përballet me botën, ashtu siç është. Ai përmendi mohimin e krimeve në luftën e fundit, nga ana e shtetit të Serbisë.

“20 vjet kanë kaluar dhe ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për gjenocidin, masakrat, përdhunimet, e plaqkitjet që i kanë ndodhur popullit tonë. Për më keq, të njejtët  që tentuan të na shfarosin, sot po e mohojnë ekzistencën tonë, mohojnë të drejtën tonë për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Prandaj nuk mund të bëhemi naivë dhe të themi që paqja që kemi është e qëndrueshme dhe e garantuar, përderisa agresori jo që nuk kërkon falje për krimet, por kërkon të kthehet pas në kohë, për ta ndryshuar realitetin për të na ngushtuar dhe për  të na shkurtuar”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm, sepse përvoja dhe disiplina duhet të përdoren edhe në betejat e paqes.