Kurti pret në takim Emir Suljagiq, të mbijetuarin e Srebrenicës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Emir Suljagiq, Drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës i cili është dhe i mbijetuar i këtij gjenocidi.

Kurti i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, Suljgaiqit në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Duke vlerësuar miratimin e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, Kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Duke e falënderuar Kryeministrin Kurti për takimin, Suljagiq ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në takim po ashtu u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet.

“Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”- theksohet në komunikatën e ZKM-së.

Sot (10.06.2024) Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama i ka dhuruar Çelësin e qytetit drejtorit ekzekutiv të Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë (Bosnje dhe Hercegovinë) njëherësh i mbijetuari i këtij gjenocidi Emir Suljagiq i cili po qëndron në Kosovë.

Emir Suljagiq, drejtor ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë sot (10.06.2024) do të jetë pjesë e konferencës së organizuar në kuadër të hapjes së ekspozitës “Reporting House” në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Në “Reporting House” do të ekspozohen edhe artefakte nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës.

 

Kryetari Rama dekoroi të mbijetuarin e Srebrenicës

I mbijetuari i Srebrenicës në ekspozitën ‘Reporting House’, “nuk jeni vonë, por nuk keni shumë kohë”