Kurti për sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi: Ka perënduar koha e ndaljes së demokracisë me gangsterizim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi, duke thënë se populli i Kosovës nuk i duron fenomenet si rrahjet e gazetarëve apo familjarëve të politikanëve për shkak të qëndrimeve të tyre.

Kurti përmes një postimi në rrjetin Facebook ka thënë se qeveria e ardhshme do ta ketë mision ruajtjen e demokracisë, lirisë së fjalës dhe veprimtarisë politike sipas ligjit.

“Qeveria kujdestare rekordeve të veta të këqija po u shton edhe atë të problemeve me rendin publik. Rrahja e familjarëve të politikanëve për shkak të qëndrimit të tyre politik, rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron. Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike, sipas ligjit,” ka shkruar Kurti.

Tutje Kurti është shprehur se demokracia nuk mund ta ndalet me gangsterizëm, pasi kjo kohë sipas tij ka perënduar. Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që dhunuesit të vihen para përgjegjësisë sa më shpejt.

“Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar. Njëri-tjetrin mund “ta mundim” vetëm me fakte, me argumente, me logjikë e me mjete demokratike. U bëj thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit. I uroj shërim të shpejtë e rikthim në detyrë gazetarit Visar Duriqi,” është shprehur Kurti.

Gazetari i gazetës online Insajderi, Visar Duriqi është sulmuar mbrëmë rreth mesnatës para banesës së tij nga tre persona të panjohur.

Duriqi për media ka deklaruar se si pasojë e sulmit i janë thyer hunda dhe disa dhëmbë.

Për sulmin ndaj gazetarit Duriqi ka pasur reagime të shumta nga fytyrat politike si dhe organizata brenda e jashtë vendit.

AGK reagon pas sulmit ndaj Visar Duriqit, fton organet e drejtësisë për zbardhjen e rastit