Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kurti për herë të parë sot takon të dërguarin e ShBA-së, Gabriel Escobar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sot për herë të parë do të takojë zëvendësndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar i cili bashkë me përfaqësuesin special të BE-së, Mirosllav Lajçak do të nisin sot vizitë zyrtare në Kosovë.

Kurti para gazetarëve sot tha që për qëndrimet do të flasë pas takimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Unë me përfaqësuesin e posaçëm të ShBA-së, për Ballkanin Perëndimor z. Escobar, takohem sot për herë të parë. Kam biseduar dy herë në telefon me të, mirëpo nuk jam takuar deri më tash prandaj sot do ta kem takimin e parë me të dhe me përfaqësuesin e BE-së. Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim qëndrimet dhe mendimet tona”, theksoi Kurti.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisin më 31 janar vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pasdite do të presë në takim zëvendësndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se takimi do të mbahet sot në orën 16:00.