Albin Kurti dhe Dua Lipa Foto: Albin Kurti,

Kurti: Kontributi i Dua Lipës për Kosovën është i pamatshëm

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ikonën botërore të muzikës pop, Dua Lipën, duke e falënderuar për organizimin e festivalit ‘Sunny Hill’ në Prishtinë.

Kurti ka shkruar se kontributi i Lipës për Kosovën është i pamatshëm duke shtuar se Kosova po shënon një nga vitet më të sukseshme kulturore në historinë e saj.

“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm”, shkroi Kurti.

Ai shtoi se festivali ‘Sunny Hill’ ndikon në ekonominë lokale të vendit dhe për këtë duhet të falënderuar Dua Lipën dhe ekipit të saj.

“Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”, vazhdon postimi i Kurtit.

Festivali “Sunny Hill” është duke u mbajtur  në Kosovë pas dy viteve. Sonte do të jetë nata e fundit e këtij festivali i cili zgjati katër ditë.

Gjatë këtyre netëve kanë performuar artistë vendorë e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve është edhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.