Kurti dhe Brnabiq afër njëri-tjetrit në samitin e Londrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologia serbe, Ana Brnabiq sot e kanë pasur ballafaqimin e tyre të parë në një samit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër.

Por, duket se ballafaqimi i tyre nuk është i ‘tensionuar’.

Në një foto të publikuar në Twitter nga gazetari, Tim Judah është parë se Kurti dhe Brnabiq janë të ulur afër njëri-tjetrit.

“Gati për të rënë dakord me njëri-tjetrin? Albin Kurti dhe Ana Brnabic. Do të jetë interesante të dëgjojmë se çfarë ndodh prapa skenave dhe tani është mundësia. Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.

Foto: Tim Judah/Twitter

Në samitin e BERZh që është duke u mbajtur sot janë pjesë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeminstrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski dhe Zoran Tegeltija, kryeministër i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Qëllimi i samitit është të nënvizojë investimet e mundshme dhe mundësitë e biznesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale.

Kurti ditë më parë pati ballafaqimin e parë më presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në një konferencë të Sigurisë në Munih të Gjermanisë.

Më 3 shkurt të këtij viti, Kurti u zgjedh kryeministër i Kosovës. Partia e Kurtit do të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.