Kurti e Brnabiq në të njëjtën ngjarje në Londër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta ketë ballafaqimin e parë me homologen serbe, Ana Brnabiq të hënën në një samit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të BERZh ku është thënë se liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Londër të hënën për Samitin e Investimeve të BERZh 2020.

Aty është thënë se në këtë aktivitet do të marrin pjesë të gjithë krerët e qeverive nga rajoni, përfshirë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeminstrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski dhe Zoran Tegeltija, kryeministër i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas një njoftimi nga kjo bankë, takimi do të hapet nga Presidenti i BERZh, Suma Chakrabarti dhe Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, në pozicionin e tij aktual si kryesues i presidencës së Bashkimit Evropian.

“Si një investitor kryesor në rajon, ne mezi presim Samitin tonë të katërt të Investimeve në Ballkanin Perëndimor. BERZH e sheh Ballkanin Perëndimor si një rajon me përparësi dhe qëllimi ynë është të zhbllokojmë potencialin e tij duke mbështetur një shkallë më të lartë të rritjes së qëndrueshme ekonomike, si dhe integrimin rajonal dhe evropian të saj”, ka vlerësuar Chakrabarti.

Tutje është thënë se qëllimi i samitit është të nënvizojë investimet e mundshme dhe mundësitë e biznesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale.

“Ky është samiti i katërt i BERZH në llojin e tij. Samiti përurues i Ballkanit Perëndimor u mbajt në BERZh në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi të gjashtë kryeministrat e rajonit. Sot, BERZh mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit, me afro 13 miliardë euro të investuara deri më tani”, është thënë më tej.

Samiti do të fillojë me një seancë të nivelit të lartë për të diskutuar vizionin e përgjithshëm për rajonin, përparimin me integrimin rajonal dhe evropian, si dhe mundësitë për investime në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo do të pasohet nga një panel diskutimi mbi “Energjinë e gjelbër në Ballkanin Perëndimor” me politikëbërës, investitorë të sektorit privat dhe financues. Ngjarja gjithashtu do të sigurojë një mundësi për rrjetëzim dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë”, përfundon njoftimi.

Kurti ditë më parë pati ballafaqimin e parë më presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në një konferencë të Sigurisë në Munih të Gjermanisë.

Albin Kurti ia thotë në sy Vuçiqit, ia tregon tri parime për dialogun

Më 3 shkurt të këtij viti, Kurti u zgjedh kryeministër i Kosovës. Partia e Kurtit do të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.