Kurti: Deri tani janë regjistruar mbi 1 milion e 400 mijë qytetarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 13.05.2024 se deri tani janë regjistruar mbi 1 milion e 400 mijë qytetarë në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Kurti tha se tashmë është java e fundit e këtij procesi.

“Tashmë jemi në javën e fundit të procesit të regjistrimit të popullsisë. Deri tani janë regjistruar mbi 1,420,000 qytetarë në Republikën e Kosovës. Dua të falënderoj secilin regjistrues e mbikëqyrës për punën shembullore. Kjo punë është vlerësuar edhe nga ekipet mbikëqyrëse të Kombeve të Bashkuara, nga Komisioni Ekonomik për Europë, dhe nga Fondi për Popullsi”- ka deklaruar Kurti përmes një video-mesazhi.

Sipas Kurtit, regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht evidentim për statistika por do të shërbejë për politika të drejta e orientim të saktë në vendimet e masat, projektet e investimet që do të ndërmerren në 10 vitet në vijim.

“Regjistrimi i popullsisë i secilit prej nesh, nuk është thjesht evidentim për statistika, por do të na shërbejë për politika të drejta e orientim të saktë në vendimet e masat, projektet e investimet që do të ndërmarrim në 10 vjetët në vijim. Regjistrimi juaj është jetik për ju e për vendin, për planifikimin e të ardhmes sonë”- është shprehur Kurti.

Kreu i ekzekutivit u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk janë regjistruar ende ta shfrytëzojnë këtë javë të fundit deri më 17.05.2024.

“Ju bëj thirrje edhe një herë, në Kosovë e diasporë, juve të cilëve ende nuk jeni regjistruar, që ta shfrytëzoni këtë javë të fundit deri më 17 maj, për t’u regjistruar dhe kësisoj ta përmbyllim këtë proces sa më mirë”- ka përfunduar ai.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka nisur më 05.04.2024 dhe pritet të zgjasë deri më 17.05.2024. Kjo është hera e dytë që nga paslufta. Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011.

Regjistruesit trokasin në derë, në secilën shtëpi të banueshme dhe të pabanueshme. Anketuesi është i pajisur me një jelek identifikues me logon ‘Rekos’, përveç kësaj e ka edhe çantën e cila identifikohet po ashtu me logo, e ka ID-në secili regjistrues dhe autorizimin.