Kryeministrja britanike, Lizz Truss, Foto: REL

Kryeministrja britanike Truss: Lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike në agjendën time

Pushtimi rus i Ukrainës dhe kriza globale e energjisë do jenë dy prioritet kryesore të politikës së jashtme për kryeministren e re të Britanisë, Liz Truss, pasi, gjatë një bisede telefonike, ajo dhe presidenti amerikan, Joe Biden, premtuan t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre përballë agresionit të Vladimir Putinit.

Biseda Truss me Biden të martën mbrëma pasoi një bisedë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe u fokusua në atë që ajo i quajti “problemet ekstreme ekonomike të shkaktuara nga lufta e Putinit”. Sipas zyrës së kryeministres britanike, Biden dhe Truss “e përforcuan angazhimin e tyre për ta forcuar lirinë globale, duke i trajtuar rreziqet e paraqitura nga autokracitë dhe duke siguruar që Putini të dështojë në Ukrainë”.

Të dy udhëheqësit gjithashtu u angazhuan për thellimin e aleancave përmes NATO-s dhe paktit të mbrojtjes Aukus, të krijuar për të kundërshtuar dominimin e Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Zyra e Shtëpisë së Bardhë tha se liderët diskutuan bashkëpunimin e ngushtë për ta ndihmuar Ukrainën të “mbrohet kundër agresionit rus”, si dhe sfidat e paraqitura nga Kina, ambiciet e Iranit për të marrë armë bërthamore, për të siguruar energji të qëndrueshme dhe të përballueshme dhe nevojën për ta mbrojtur Marrëveshjen e së Premtes së Mirë.

Truss ka biseduar po ashtu edhe me presidentin ukrainas Zelenskiy dhe i ka thënë atij se Ukraina mund të varet nga ndihma e Mbretërisë së Bashkuar për një afat të gjatë ndërkohë që ka pranuar ta vizitojë Ukrainën së shpejti.   

Truss dhe Biden mund të takohen së shpejti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më vonë këtë muaj, mirëpo çështjet e ngritura nga Brexit nënkuptojnë se mund të mos jetë një mirëseardhje krejtësisht e qetë./The Guardian