Kryeministri Kurti: Me Shtetet e Bashkuara ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me Ndihmës Administratoren e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, ambasadoren Erin E. McKee, ka thënë se Kosova ndan vlera të përbashkëta me SHBA-në.

“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta. Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci. Tek USAID-i gjejmë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shtet edhe popullin mik amerikan” – citohet të ketë thënë Kurti.

Në takim me McKee, Kurti ka thënë se kanë diskutuar për projektet e USAID-it të cilat po gjejnë zbatim në Kosovë dhe për mundësitë e reja.

“Ndihma e USAID-it për Kosovën deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë dhe përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tonë. Për secilin dollarë ne jemi mirënjohës si popull, si vend dhe si institucione” – citohet të ketë thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se ambasadoren McKeee ka njoftuar edhe për punët që i ka bërë Qeveria e drejtuar nga ai.

“Unë e njoftova znj. McKee me indikatorët më të fundit ekonomikë e demokratikë, për përparimin në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, reformat e deritanishme dhe të mëtejshme në sistemin e drejtësisë dhe kornizën ligjore, qeverisjen e mirë dhe planet tona për investime në sektorin e energjisë”, ka thënë Kurti.

Sot në Kosovë ka qëndruar Ndihmës Administratorja e USAID-it, Erin E. McKee, përveç Kurtit ajo ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani.