KQZ: Certifikimi përfundimtar i zgjedhjeve do të bëhet nesër në ora 10

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se zgjedhjet do të certifikohen në nesër (e shtunë) në ora 10:00.

KQZ nesër mban mbledhjen e radhës ku në rend të ditës ka certifikimin e rezultatit përfundimtare të zgjedhjeve.

Zgjedhje këto, të parakohshme, që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

“Ju njoftoj se të shtunën (13 mars 2021, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është: Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021”, njofton Elezi.

Kujtojmë se deri tash sipas rezultateve që janë publikuar në faqen e KQZ-së, fituese e zgjedhjeve ka dalë Lëvizja Vetëvendosje dhe ka marrë rreth 50 për qind të votave.

E dyta vjen Partia Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind të votave. Pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës me 13 për qind dhe në fund Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që mori rreth 7 për qind të votave.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, nuk arriti të kalojë pragun duke marrë veç 2 për qind të votave. RTK