Dimitar Kovaçevski

Kovaçevski: Pres përparim dhe sukses për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe Kosovës

Pas përfundimit të takimit trepalësh në Ohër të Maqedonisë së Veriut është deklaruar para media edhe vet Kryeministri i këtij vendi, Dimitar Kovaçevski.

Ai ka deklaruar se pret përparim dhe sukses për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe Kosovës në një rrugë paqësore drejt Bashkimit Evropian.

“Paqja, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik janë parakushte kyçe për një progres të vazhdueshëm për të gjithë Ballkanin perëndimor dhe BE-në” – është shprehur Kovaçevski.

Tutje kryeministri Kovaçevski tha se është shumë i gëzuar që qytetarët e tij së bashku me ekipin e tij e kanë ndihmuar këtë proces të rëndësishëm negocimi me mbështetjen e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se në këtë rast e vërteton edhe përkushtimin e tij personal që rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë i gjithi i përqafuar nga BE-ja .

Para Kovaçevski, një deklaratë për media pati edhe Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili përgëzoi të dyja palët për arritjen e një marrëveshje që sipas tij ka është mjaftë e vështirë, por që është edhe e domosdoshme për të gjetur një marrëdhënie paqësore dhe afatgjate.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kanë arritur pajtim publik për një aneks që do të siguroj zbatim të marrëveshjes.

Para mediave është deklaruar edhe shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell. Ai tha se Kosova dhe Serbia janë dakorduar në zbatimin e aneksit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes vendeve.

Në anën tjetër, një deklarim para mediave pati edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në këtë takim nuk ka nënshkruar asgjë.

Takimi trepalësh në mes të kryeministrit Kurti, presidentit serb Vuçiq, Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar rreth orës 15:30 dhe ka zgjatur për më shumë se gjashtë orë.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.