Ndërtesa qeveritare në Shkup - Foto: BIRN

Ministrat e BDI-së deponojnë dorëheqjet nga Qeveria maqedonase

Ministrat nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kanë deponuar dorëheqjet e tyre nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Aktin e dorëheqjes ata ia kanë paraqitur kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

BDI-ja gjatë fundjavës mori vendim që ministrat e saj të dorëhiqeshin nga ekzekutivi me qëllim të “plotësimit të kushtit të [partisë maqedonase në opozitë] VMRO-DPMNE-së për votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe formimin e një ekzekutivi të ri” pa BDI-në.

Partia që udhëhiqet nga Ali Ahmeti ka drejtuar pesë ministri në Qeverinë maqedonase, përkatësisht atë të Punëve të Jashtme, të Ekonomisë, të Financave, Financave, Arsimit, dhe Ministrinë e Sistemit Politik. BDI-ja po ashtu ka pasur zëvendëskryeministrin e parë.

“Si bartës i funksionit të rëndësishëm publik, i vetëdijshëm për mirëqenien e qytetarëve tanë dhe ardhmërinë e tyre, e cila padyshim e ka vendin në familjen e madhe evropiane, duke e pasur parasysh emërtimin e subjektit politik të cilit i takoj dhe i cili në parim e ka integrimin e vendit si në NATO, BE dhe raportet e ngushta dhe të afërta me SHBA, duke e pasur parasysh kushtin e pahijshëm të opozitës për t’i votuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e integrimit dhe ardhmërinë dinjitoze të Republikës së Maqedonisë së Veriut, po ua dorëzoj, i nderuar kryetar i Qeverisë, dorëheqjen time nga pozita e zëvendëskryetarit të parë të Qeverisë dhe ministrit të Sistemit Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet bashkësive, të cilën ju lutem që ta aktivizoni në momentin kur opozita do t’i votojë dhe do të hyjnë në fuqi ndryshimet e propozuara kushtetuese në Kuvend”, thuhet në aktin e dorëheqjen së zëvendëskryeministrtit Artan Grubit

Edhe dorëheqjet e ministrave të tjerë kanë të njëjtën përmbajtje dhe do të hyjnë në fuqi pasi të jenë votuar ndryshimet kushtetuese, që parashohin përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

VMRO-DPMNE-ja ka thënë se dorëheqjet e zyrtarëve të BDI-së janë “taktizime” për të blerë në kohë, me qëllim zvarritjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin as në gusht, e as në shtator. Manovrat e BDI-së kanë për qëllim blerjen e kohës që zgjedhjet të mos ndodhin në vjeshtë, por në pranverë, në afatin e rregullt”, deklaroi kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, duhet të prononcohet për dorëheqjet e ofruara, pasi rregullorja për punën e Kuvendit nuk parasheh “dorëheqje të afatizuara” apo në pritje të miratimit ose të ndryshimeve kushtetuese.

Sipas dispozitave ligjore, kreu i Qeverisë duhet t’i refuzojë ato ose ta njoftojnë Kuvendin, i cili më pas duhet të konstatojë dorëheqjet e ministrave të BDI-së.

Debati parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.

Ndryshimet në Kushtetutën maqedonase duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shkupit, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.

Opozita maqedonase është shprehur kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

Shumica parlamentare nuk do të mund t’i miratojë pa mbështetjen e votave të opozitës pasi nuk ka dy të tretat, apo 80 votat e nevojshme./REL