![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2020/11/FE595930-C80B-4034-AF55-C390244419AE_w1023_r1_s-720x405.jpg)
REL
Kosova e “pakoordinuar” në masat kundër përhapjes së pandemisë
Pëllumb Bajçinovci, pronar i një biznesi në fushën e gastronomisë në Prishtinë, thotë se ka pasur humbje të mëdha nga vendimet e papritura të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ishin të papërgatitur për një vendim të tillë, që sipas tij, ishte aq i shpejtë sa që krijoi edhe panik te qytetarët.
“Si çdo herë, bëhen përgatitje për vikend me staf, me mjete tjera dhe një vendim për masa të reja, normal që krijon humbje për biznesin. Kemi pasur humbje të mëdha edhe nga masat në të kaluarën. Këto vendime të shpejta duhet ndalur. Duhet të bëhen plane afatgjate në mënyrë që të mbijetojë biznesi”, thotë ai.
Me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve. Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë, në të gjithë territorin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, të martën paralajmëroi se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.
Të martën, në Kosovë janë shënuar596 raste të reja me koronavirus dhe pesë viktima. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 25,388. Prej tyre, 773 pacientë kanë vdekur.